Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, më bashkëpunëtorë.
Sipas një njoftimi, në takim, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, kryeministri Mustafa e përgëzoi Gucatin për zgjedhjen në këtë detyrë, duke i uruar sukses në realizimin e synimeve dhe objektivave të tij në krye të OVL të UÇK-së.
Kryeministri Mustafa, sipas njoftimit, po ashtu, theksoi përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës Çlirimtare.
Ndërkaq shtohet më tej, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ndër të tjera, shprehu vullnetin e tij për bashkëpunim të mëtejmë me qëllim të avancimit të gjendjes dhe mirëqenies së veteranëve të UÇK-së.
“Gjatë takimit, është biseduar edhe për tema të rëndësishme që lidhen me statusin dhe mirëqenien e veteranëve të luftës çlirimtare dhe çështje të tjera në interes të përbashkët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/