Telegrafi

Mustafa: Procesi i njohjes do të vazhdojë deri në anëtarësimin e Kosovës në OKB

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa pas njohjes së shtetit të Kosovës nga Bangladeshi tha se arritjet e Kosovës në politikën e jashtme janë rezultat i argumenteve globale politike, juridike dhe ndërkombëtare që po jep shteti i Kosovës në të gjitha fushat si dhe qëndrimet parimore në raport me vlerat universale botërore.

Mustafa në rrjetin social Facebook shkruan se procesi i njohjes së Kosovës do të vazhdojë më tutje, deri në anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Ky është postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

“Njohja e sotme nga Bangladeshi, shtet me zhvillim të hovshëm ekonomik dhe popullsi mbi 150 milionë banorë në Azinë Jugore, është dëshmi e forcimit të vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Arritjet e Kosovës në politikën e jashtme janë rezultat i argumenteve globale politike, juridike dhe ndërkombëtare që po jep shteti i Kosovës në të gjitha fushat si dhe qëndrimet parimore në raport me vlerat universale botërore.

Procesi i njohjes së Kosovës do të vazhdojë më tutje, deri në anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, proces që po përkrahet edhe nga miqtë tanë ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës falënderojmë Bangladeshin për njohjen dhe presim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”. /Telegrafi/