Telegrafi

Mustafa: Plani për kapacitetet e reja gjeneruese i përmbushë kriteret moderne

Kryeministri Isa Mustafa, priti në takim njoftues drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Ellen Goldstein dhe menaxherin për Kosovë, Jan-Peter Olters. Në këtë takim u diskutuan marrëdhëniet e Kosovës me Bankën Botërore edhe nga pikëpamja historike, duke u theksuar përkrahja e vazhdueshme që Kosova ka marrë nga Banka Botërore, me theks të veçantë në sektorin e energjisë.

Mustafa ritheksoi se Qeveria e Kosovës, përveç krijimit të kapaciteteve të reja energjetike, ka në vëmendje të veçantë edhe krijimin e kushteve për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, rritjen e efiçiencës në konsum të energjisë dhe mbrojtjen e ambientit. Në këtë kontekst, kryeministri tha se plani për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese i përmbushë të gjitha kriteret moderne sa i përket mbrojtjes së ambientit.

Përveç kësaj, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e njoftoi drejtoreshën e Bankës Botërore mbi hapat konkret që janë ndërmarrë gjatë viteve të fundit në fushën e energjisë, duke përfshirë këtu Ligjin mbi ndërtimet i cili parasheh rritje të efiçiencës në vend për konsum të energjisë.

Gjatë këtij takimi u diskutua ndihma që Banka Botërore i ka dhënë Kosovës në sektorin e energjisë, ku Goldstein theksoi Strategjinë për Energji e cila ka në fokus krijimin e kapaciteteve për energji të ripërtëritshme, rritjen e efiçiencës, reformën në sektorin e distribuimit, sektorin e minierave, kualitetin e ajrit në vend dhe aspekte tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e ambientin në përgjithësi. Gjithashtu, Goldstein ritheksoi se ekipet e ndryshme të Bankës Botërore janë në dispozicion të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të ofrimit të ndihmës në arritjen e objektivave të saj në këtë mandat. /Telegrafi/