Site icon Telegrafi

Mustafa përkujton mbi 80 viktima në masakrën makabre në Lybeniq

Kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa në përvjetorin e njëzetë të masakrës së Lybeniqit, përkujton mbi 80 viktima të ekzekutuar në mënyrë çnjerëzore nga Serbia.

“Po bëhen 20 vite kur u ekzekutuan shumë burra, gra e fëmijë të pambrojtur të cilët sot janë pjesë e historisë sonë të dhimbshme por njëkohësisht krenare.

Qytetarët civil në Lybeniq ishin të pafajshmit dhe të pambrojturit e radhës, ndër shumë masakra që kishin filluar nëpër gjithë Kosovën nga forcat policore serbe të cilat pa mëshirë kishin filluar të masakronin dhe terrorizonin popullatën civile.

Sot, me krenari kujtojmë të gjithë dëshmorët e vendit të cilët u sakrifikuan për ëndrrën që po e jetësojmë, lirinë dhe pavarësinë. Poashtu, është i dhimbshëm fakti që kryerësit e krimeve në Kosovë nuk kanë dalur para drejtësisë ani pse kanë kaluar 20 vite nga lufta e fundit në Kosovë. Për çdo familje mbetet plagë e hapur gjetja e trupave të familjarëve të tyre. Lavdi dëshmorëve të vendit”, thuhet në njoftimin për media. /Telegrafi/

Exit mobile version