Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Luan Haradinaj, me rastin e 19 vjetorit të rënies heroike.
Zyra për media e kryeministrit Mustafa ka dërguar një komunikatë me anë të së cilës përcillet mesazhi i kryeministrit Mustafa.
Në mesazhin e kryeministrit Isa Mustafa thuhet:
Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, në një ndër betejat e para të UÇK-së, pas një rezistence epike, ra heroikisht luftëtari i brezit të parë të luftës çlirimtare, Luan Haradinaj.
Luan Haradinaj dhe luftëtarët e tjerë të lirisë vendosën gurthemelin e shtetit të Kosovës, i cili ditë pas dite po arrin suksese të gjithanshme.
Republika e Kosovës do t’i përkujtojë dhe do të krenohet përjetësisht me Luanin dhe bashkëluftëtarët e tij.
Sakrifica tyre na obligon që të punojmë me përkushtim në jetësimin e aspiratave të qytetarëve për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë, në krye me SHBA-të.
Zoti e bekoftë Luan Haradinajn,
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës.