Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se çështja e Trepçës nuk do të shkojë për tu diskutuar në Bruksel. Sipas tij Kosova nuk ka nevojë të diskutojë me as kënd për pronat e veta.
“Trepça assesi nuk do të shkojë në Bruksel, nuk do të bisedojmë për pronat e Kosovës me askënd. Ajo është pronë e Kosovës edhe sipas pakos së Ahtisaarit. Ne jemi të interesuar që të ketë një proces gjithëpërfshirës në hartimin e projektligjit për Trepçën. Edhe serbët do të jenë të përfshirë në këtë proces dhe do të ndihmojnë në hartimin e projektligjit. Ky do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mustafa, gjatë një konference për media shkruan Telegrafi.
Ai ka bërë të ditur se Ligji për Trepçën do të përgatitet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), pastaj do të shkojë në Kuvend.
“Komisioni për Trepçën më tepër ka rol koordinues. Do të kyçet edhe pala serbe në proces dhe rezultati do të jetë dërgimi i Ligji në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa. /Telegrafi/