Pas disa seancave në të cilat nuk iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, kryeministri Isa Mustafa kishte vendosur që sot të përballet me pyetjet e ligjvënësve.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra kërkoi përgjigje nga kreu i Qeverisë se cilat do të jenë kompetencat e tij në dialogun e Brukselit, pas paralajmërimit të ministres për dialog Edita Tahiri se do të ndryshoj formati i dialogut.
“Si do të përfshihet dhe cilat do të jenë kompetencat e juaja si kryeministër në diskutimet e fundit që i kemi pasur në komisionin për politikë të jashtme edhe me ministren për dialog Tahiri na është thënë që do të ketë një fazë të re të dialogut”, pyeti Deliu-Kodra.
E kryeministri Mustafa në përgjigjen e tij tha se ndryshimi i formatit do të bëhet në koordinim me presidentin e vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
“Këtë çështje do ta trajtojmë së bashku me presidentin e vendit dhe me kryetarin e Kuvendit. Ky format bëhet natyrisht edhe me formatin që ka Serbia, pjesa dërrmuese e çështjeve që diskutohen atje janë çështje qeveritare, por varësisht nga nivelet që përcaktohen në Bruksel do të përcaktohen dhe në Kosovë dhe do të bëjmë përpjekje që në të ardhmen të jemi më transparent”, tha Mustafa.
Kreu i ekzekutivit me tutje shtoi se në dialogun e deritanishëm kanë shtruar shumë çështje.
Ai tha se në kuadër të reparacionit, çështjen e të pagjeturve e kanë shtruar edhe më herët, derisa do të kërkojnë garancën e Brukselit që Serbia të jep informata të sakta për vendndodhjen e varrezave masive.
“Do të kërkojmë hapjen e arkivave të ish ushtrisë jugosllave që tash janë në Serbi, të cilat tani po na pengojnë që po bëhen gërmime por nuk po gjenden të mbeturat mortore të njerëzve të cilët priten të identifikohen”, theksoi ai.
Kreu i qeverisë shtoi se në dialog do të hapet çështja e fondit pensional dhe invalidor të qytetarëve të Kosovës dhe kthimin e depozitave bankare, çështja e dëmshpërblimit për dëmet e luftës, për vrasjet, humbjet e njerëzve, dëmshpërblimet për trashëgimitë kulturore dhe fetare, për humbjen e pagave të personave të përjashtuar nga puna dhe dëmshpërblimet ose dëmet e drejtpërdrejta fizike prona privat dhe publike që janë si pasoj e veprimeve të Serbisë.
Ndërsa, sipas Mustafës, dialogu do të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve, demarkacionin e kufirit ndërkombëtarë në mes Kosovës dhe Serbisë, me respektimin e fqinjësisë së mirë ndërmjet dy shteteve, përkatësisht me respektimin e sovranitetit të njërës dhe tjetrës. /Telegrafi/