Site icon Telegrafi

Mustafa: PE-ja, përkrahje të madhe për proceset integruese të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës që po zhvillon në Bruksel, u takua me deputeten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek.

Në takim u bisedua për proceset euro-integruese të Kosovës, për procesin e liberalizimit të vizave dhe avancimin e vazhdueshëm të zhvillimeve të tjera në Kosovë.

Kryeministri Mustafa, gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, theksoi se tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret dhe rekomandimet për liberalizimin e vizave, transmeton Telegrafi.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, përveç të tjerave, do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe qarkullim të shtuar ekonomik, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha kryeministri.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje për përkrahjen tejet të madhe të Parlamentit Evropian dhe të eurodeputetes Lunacek.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, theksoi mbështetjen e saj të mëtejshme për Kosovën, duke vlerësuar proceset në Kosovë.

Gjatë ditës në Bruksel, kryeministri Mustafa do të takohet edhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me komisioneren e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë/ zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini dhe me presidentin e Partive Popullore Evropiane (EPP), Joseph Daul. /Telegrafi/

Exit mobile version