Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova ka marrë një lajm të mirë në vlerësimin e politikave ekonomike të Qeverisë.
Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se “Fondacioni HERITAGE ka bërë vlerësimin e renditjes së shteteve sa i përket indeksit të lirisë ekonomike. Sipas këtij vlerësimi, Kosova është renditur në vendin e 46-të në botë, dhe në vendin e 22-të në Evropë për sa i përket këtij treguesi”, transmeton Telegrafi.
Postimi i plotë i Mustafës:
“Pas vlerësimit që investitorët botërorë kanë bërë për politikat ekonomike të Qeverisë, si më të mirat në rajon, sot ka ardhur një lajm edhe më i mirë në vlerësimin e Kosovës.
Fondacioni HERITAGE ka bërë vlerësimin e renditjes së shteteve sa i përket indeksit të lirisë ekonomike. Sipas këtij vlerësimi, Kosova është renditur në vendin e 46-të në botë, dhe në vendin e 22-të në Evropë për sa i përket këtij treguesi. Në rajonin e Ballkanit jemi renditur në vendin e dytë në këtë tregues.
Kosova është ndër avancuesit më të mirë në nivel global me 6.5 pikë.
Ky tregues, konsiderohet si ndër më të rëndësishmit edhe për sinjalizimin e investitorëve të huaj, por po ashtu edhe për liritë individuale për të realizuar të drejtën e tyre ekonomike. Gjendja më e mirë e këtij indeksi, siç është rasti i Kosovës në krahasim me rajonin, nënkupton edhe prosperitet për shoqërinë” (sic.), ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/