Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Demolli, pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar të Kosovës, Arif Demolli.
Në telegramin e Kryeministrit Isa Mustafa thuhet:
Shumë e nderuara Familje Demolli,
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, shkrimtarit të shquar të Kosovës e mikut tim të dashur, Arif Demollit.
Ndarja nga jeta e Arifit, është një humbje e madhe për familjen, për miqtë, për letërsinë shqipe dhe për shtetin e Kosovës.
Arifi, me veprën e tij letrare dhe veprimtarinë intelektuale, dha kontribut shumë të madh për zhvillimin e krijimtarisë artistike e letrare, si dhe të jetës arsimore e edukative në Kosovë.
Brezat e sotëm dhe të ardhshëm, si dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta përkujtojnë përherë jetën dhe veprën e Arif Demollit .
Andaj, më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj të madhe.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!