Site icon Telegrafi

Mustafa: Nekibe Kelmendi ishte shtyllë e LDK-së, ajo mbetet ikonë e gruas shqiptare

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujton nënkryetaren e LDK-së, veprimtaren Nekibe Kelmendi, në nëntë vjetorin e ndarjes nga jeta.

“Sot kujtojmë veprimtaren dhe intelektualen e shquar, gruan heroinë, zonjën e madhe të LDK-së dhe Kosovës, Nekibe Kelmendin, e cila gjithë angazhimin e saj jetësor ia kushtoi shtet-formimit të Kosovës.

Ajo ishte veprimtare dhe shtyllë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, luftëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe stratege e ndërtimit të shtetit të së drejtës”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka theksuar se Nekibja nuk u dorëzua në asnjë moment pavarësisht plagëve të rënda të marra prej humbjes së më të dashurve të saj, bashkëshortit dhe dy djemve.

“Bajram Kelmendi dhe dy djemtë ishin motiv për punën e saj, angazhimin dhe idealin e ndërtimit të një shteti të pavarur dhe demokratik. Me personalitetin e saj të jashtëzakonshëm ajo arriti që dhimbjen e madhe që e kishte ta kthente në forcë dhe motiv për formimin dhe konsolidimin e vendit, të cilit ia kushtoi gjithë jetën.

Ajo ishte dhe mbetet ikonë e gruas shqiptare, që në momentet më të vështira gjeti urtësinë dhe guximin të mos e ndalte punën e saj deri në sakrificat më sublime. Emri i Nekibe Kelmendit, ministres së Drejtësisë mbetet i paharruar dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

Bashkë me Nekiben përkujtojmë të gjitha gratë dhe nënat shqiptare që përkundër rezistencës, dhimbjes dhe sfidave që kishin në jetën e tyre nuk u ndalën së punuari për shtetndërtimin tonë”, ka deklaruar Mustafa. /Telegrafi/

Exit mobile version