Telegrafi

Mustafa: Në SHBA morëm mbështetje për proceset euroatlantike dhe liberalizimin e vizave (Video)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas kthmit nga SHBA, ka folur rreth takimeve të tij që i zhvilloi gjatë vizitës në New York.

Mustafa, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social, ka thënë se gjatë këtyre takimeve ka marrë përkrahjen e plotë të SHBA-ve si dhe të vendeve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare

Ai ka treguar se është takuar me Presidentin Obama, Presidentin Clinton, Sekretarin Kerry, Sekretarin e Kombeve të Bashkuara, e shumë të tjerë, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

“Të dashur miq,

Javën që lamë pas isha në Nju Jork, ku së bashku me ministrin Hoxhaj, kemi zhvilluar takime të nivelit më të lartë me liderë të shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të diasporës.

Pata rastin të takohem me Presidentin Obama, Presidentin Clinton, Sekretarin Kerry, Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Mbretin e Jordanisë, Presidentin e Këshillit Evropian, Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, drejtuesit e organizatave rajonale, presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm të shumë shteteve.

Takova përfaqësuesit e diasporës sonë në Javën e Filmit Shqiptar si dhe në takimin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare.

Morëm përkrahjen e plotë të SHBA-ve dhe vendeve të tjera partnere e të organizatave ndërkombëtare.

Na u rikonfirmua mbështetja për proceset euroatlantike, liberalizimin e vizave dhe proceset tjera vitale për qytetarët.

Presim fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar përmes njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata.

Duke iu referuar thënies brilante të Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, se “Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq”, me krenari e them se Republika e Kosovës ka sot më shumë miq se kurdoherë tjetër”(sic), ka shkruar Mustafa, duke postuar edhe një video nga vizita dhe takimet e tij në New York. /Telegrafi/