Site icon Telegrafi

Mustafa në prezanton mundësitë dhe resurset ekonomike të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër, ka prezantuar mundësitë dhe potencialet e Republikës së Kosovës për investitorët e huaj.

Mustafa, në këtë samit të rëndësishëm ku ishin të pranishëm edhe kryeministrat e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, ka prezantuar reformat e ndërmarra nga Qeveria në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Në këtë drejtim, kryeministri ka kërkuar përkrahjen e BERZH-it dhe institucioneve tjera financiare ndërkombëtare.

Punimet e samitit u hapën nga presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, i cili foli gjerësisht për përkrahjen që kjo bankë do të ofrojë për vendet e Ballkanit Perëndimor, për projektet konkrete në infrastrukturë, energji dhe në fusha të tjera.

Ministri i Shtetit për Tregti dhe Investime i Mbretërisë së Bashkuar, Lord Maude, foli për mundësitë e zhvillimit ekonomik, të tërheqjes së investimeve dhe përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për rajonin në këtë drejtim.

Mustafa tha se ky takim ofron një mundësi të veçantë të koordinimit të aktiviteteve për zhvillim ekonomik, për bashkëpunim rajonal dhe për ndërlidhje me institucionet më të rëndësishme financiare.

“Ndër aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal gjithsesi mbetet edhe bashkëpunimi ekonomik. Si pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova tashmë është angazhuar në projekte të ndryshme rajonale të cilat janë qenësore për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për krijimin e lehtësirave për biznese vendore, në mënyrë që ato të kenë qasje në tregjet rajonale dhe në tregjet e tjera më të gjera. Po ashtu, përmes këtyre projekteve dhe proceseve po përmirësojmë qasjen edhe të investitorëve të huaj në vendin tonë. Në mënyrë që të arrihet kjo, Kosova është angazhuar në dimensione të ndryshme të bashkëpunimit rajonal”, tha kryeministri.

Mustafa përmendi pajtimin që është arritur me qeveritë e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, për agjendën e interkonektivitetit, e cila përbën një kthesë të jashtëzakonshme për infrastrukturën e vendeve të Ballkanit.
Ai veçoi edhe agjendën e Berlinit për ndërtimin dhe lidhjen e infrastrukturës së transportit dhe energjisë, që mundëson rritje ekonomike, vende të reja të punës, tërheqje të investimeve të huaja dhe progres të përbashkët në zhvillimin ekonomik.

“Kosova ka një popullatë të re, multikulturore dhe multietnike, dhe shumë dinamike. Jemi duke bashkëpunuar edhe në krijimin e shkathtësive të nevojshme për qytetarët tanë, në mënyrë që ata të jenë konkurrues në vendet e rajonit dhe në vendet evropiane”, tha kryeministri Mustafa, duke folur gjerësisht edhe për reformat substanciale të Qeverisë së Kosovës që ndërlidhen me implementimin e prioriteteve strategjike sa i përket përmirësimit të ambientit të biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Në lidhje me bashkëpunimin me BERZH-in, kryeministri Mustafa tha se do të punohet në investimet në bujqësi, në mënyrë që të rriten tokat bujqësore dhe prodhimtaria e brendshme primare dhe përpunuese, si dhe në projekte që ndërlidhen me investime që kanë të bëjnë me ndërtimin e infrastrukturës dhe me ndërtime tjera.

Gjatë samitit, kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimore dhe të pranishmit e shumtë, investitorë dhe ekspertë të ekonomisë, kanë biseduar për mundësitë investuese dhe potencialet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në zhvillimin ekonomik.

Më pas, Mustafa mori pjesë në konferencën për medie, me ç’rast u përgjigj në pyetjet e gazetarëve për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe aspekte tjera zhvillimore.
Pasdite, kryeministri Isa Mustafa, do të zhvillojë një takim bilateral me presidentin e BERZH-it, Suma Chakrabarti dhe do të takojë personalitete të tjera të rëndësishme.

Gjatë vizitës në Londër, kryeministri Mustafa është i shoqëruar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version