Site icon Telegrafi

Mustafa në Paris, kërkon përkrahje për projekte konkrete zhvillimore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili po zhvillon punimet në Paris.

Në takimin qendror të Samitit, të pranishëm presidenti francez Hollande, kancelarja gjermane Merkel, kancelari austriak Kern, kryeministri italian Renzi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini, dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë.

Në fjalën e mbajtur, Mustafa ka listuar projektet konkrete zhvillimore për të cilat ka interes të përbashkët në rajon.

Ai foli për proceset eurointegruese të Kosovës, përfshirë MSA-në dhe rekomandimin për liberalizim të vizave.

“Besoj thellë se është në interes të BE-së që të hapë më shumë mundësi për integrimin e vendeve të Ballkanit”, tha kryeministri.

Mustafa prezantoi edhe proceset konkrete ku ka nevojë për bashkëpunim më të madh ndërmjet vendeve të rajonit, si zhvillimi ekonomik, qarkullimi i lirë dhe energjia. Me këtë rast, i bëri thirrje që Serbia të kryejë obligimet dhe të mundësohet funksionalizimi i projekteve moderne në të mirë të të gjitha vendeve të rajonit, siç është transmisioni i energjisë.

Kryeministri i Kosovës ka listuar një numër të projekteve në fushën e transportit, ambientit dhe energjisë, si linja 10 e hekurudhës që lidh Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin, kompletimi i Autostradës 7 që lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe me Nishin në Serbi, i cili do të lidhte Detin Adriatik nga Durrësi me korridorin 10 të Rrjetit Evropian.

Ai foli edhe për punën që po bëhet në përfundimin e Autostradës për Shkup, si dhe mundësinë e zgjatjes së pistës së Aeroportit të Prishtinës.

Në sektorin e energjisë, kryeministri tha se po punohet në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, në riaftësimin e kapaciteteve ekzistuese si dhe interesimin që të ndërtohen linjat e interkoneksionit me vendet e rajonit.

Duke u referuar rritjes ekonomike prej katër për qind Kosovës, Mustafa prezantoi punën që po bëhet që këtë vit rritja të jetë edhe më e madhe.

“Kemi nevojë të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për investime më të mëdha, huazime më të volitshme, të cilat do të krijonin kushte të kapërcejmë problemin e papunësisë së lartë sidomos të të rinjve dhe grave”, tha kryeministri duke theksuar nevojën që të mendohet edhe për treg të përbashkët të kapitalit.

Në fund, ai ka shprehur besimin e palëkundur të qytetarëve të Kosovës në vlerat evropiane dhe në Bashkimin Evropian si familje e popujve.

“Duke pas parasysh këtë besim dhe përcaktim popullor, Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për avancimin e agjendës eurointegruese. Republika e Kosovës beson dhe po punon që të jetë pjesë e familjes evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Gjatë Samitit të Parisit, kryeministri Mustafa do të takohet me drejtuesit e shteteve të BE-së si dhe homologët nga vendet e rajonit.

Exit mobile version