Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se dështimi i djeshëm i Kuvendit të Kosovës që të votojë emërimin e anëtarëve të OSHP-së nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave, raporton Telegrafi.
“Mendoj se nuk rrezikohet liberalizimi i vizave, mendoj se s’ka asnjë arsye. Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Sa i përket OSHP-së dhe sistemit të Prokurorimit mund të them se vitin e kaluar kemi kompletuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, kemi ndryshuar ligjin mbi prokurorimin, kemi kaluar nga ky vit në prokurorimin elektronik dhe i kemi përcaktuar edhe fazat e zbatimit të prokurorimit elektronik në të gjitha agjencionet qendrore. Ndërkaq nga viti ardhshëm, këtë do ta bëjmë edhe në pushtetin lokal”, ka thënë Mustafa, gjatë një vizite që i ka bërë kompanisë për prodhimin e lëngjeve, “Frutex” në Suharekë.
Sipas tij, çështja e zgjedhjes së anëtarëve të OSHP është çështje praktike e cila siç ka thënë ai “nëse nuk është kry dje, kryhet për një javë”.
“Por është me rëndësi është që me ligj ky organ të jetë i pavarur dhe profesional”, ka thënë më tej kryeministri Mustafa.
Ai ka komentuar edhe mos votimin e anëtarëve të OSHP-së edhe nga deputetë të partisë që ai udhëheq.
“Nuk kam kërkuar arsyetim nga deputetët, deputetët janë të lirë të vendosin për këtë. Me rëndësi është që kjo do të kryhet në mënyrën më të mirë dhe kjo nuk mund të paraqet problem për arsye se të gjitha kërkesat në lidhje me sistemin e prokurorimit janë përmbushur”, ka thënë Mustafa. /Telegrafi/