Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa ka lavdëruar punën e stafit mjekësor në klinikat dhe spitalet e Kosovës në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19 dhe numri i rasteve të reja të të sapo infektuarve dhe viktimave vazhdon të jetë i lartë.
Mustafa, në një postim në Facebook ka shkruar se është e ulët që dikush të tentojë të përdhosin punën e mirë që po kryejnë mjekët dhe stafi tjetër shëndetësor, të cilët për shkak të volumit të madh të punës thonë se ka 9 muaj që nuk kanë kohë të kujdesen as për familjet e tyre.
“Është e ulët që dikush nga politika të tentojë të përdhosin këtë punë titanike. S’kanë as të drejtë morale, sepse disa prej tyre kanë paga disa-fish më të larta se të mjekëve, bëjnë jetë të lirë, larg përgjegjësisë për të sëmurit dhe për familjarët e tyre dhe marrin guxim të mbjellin defetizëm, në emër të lirisë së fjalës”, shkruan Mustafa.
Postimi i plotë i Mustafës:
“Pacientët me Covid-19 në QKUK dhe në spitalet rajonale kryesisht shprehen mirë për punën që po e bëjnë mjekët dhe personeli tjetër shëndetësor.
Është një lloj mrekullie që në mungesë të kapaciteteve hapësinore e njerëzore, me telashe të furnizimit me oksigjen të përballohet fluksi i pacientëve që kanë nevojë.
Kur bisedon me mjekët tanë, thonë se ka 9 muaj që nuk kanë jetë private. Nuk kanë kohë të kujdesen as për familjet e tyre. Prandaj është e ulët që dikush nga mediat dhe politika të tentojë të përdhosin këtë punë titanike. S’kanë as të drejtë morale, sepse disa prej tyre kanë paga disa-fish më të larta se të mjekëve, bëjnë jetë të lirë, larg përgjegjësisë për të sëmurit dhe për familjarët e tyre dhe marrin guxim të mbjellin defetizëm, në emër të lirisë së fjalës.
Të sëmurëve iu nevojitet kurajë, besim se do të shërohen. Mjekët, drejtuesit e SHSUK-së, klinikave dhe spitaleve, së paku meritojnë respektin tonë dhe përkrahjen tonë për një punë të përgjegjshme dhe me sakrificat ditore që po bëjnë. IM“, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/