Site icon Telegrafi

Mustafa: Ministri Murati i shqetësuar që nuk i ka emrat e kandidatëve që i pëlqejnë për bord të Trustit

Që nga 1 marsi i këtij viti Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trusti Pensional) ka mbetur pa bord.

Lëvizjet e shpejta në investimet e Trustit gjatë muajit mars shkaktuan kritika nga opozita se në mungesë të bordit, Fondi i Kursimeve Pensionale nuk po arrin të tërheqë investimet nga tregjet financiare në rënie.

Arben Mustafa, ekonomist nga PDK-ja, ka thënë se për këtë parti, mbetja e Trustit pa bord është shumë shqetësuese.

“Kjo është papërgjegjësi e madhe që po mbretëron në qeverisjen e këtij vendi dhe sot kur kemi një tendencë të rënies së tregjeve të aksioneve, patëm një luhatje të madhe në sistemin financiar në SHBA, ndërsa ne sot kemi 2.5 miliardë të qytetarëve të Kosovës që ruhen nga Trusti e i cili nuk ka ‘zot shtëpie’’’ – ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se është shqetësuese gjakftohtësia e ministrit Hekuran Murati rreth kësaj teme.

“Ai nuk e ka problemin që Trusti është pa bord, nuk e ka problemin rreth mënyrës së organizimit të procedurave por ai e ka problemin tek emrat e kandidatëve. Problemi kryesor që e shfaqi ministri gjatë raportimit në Komision për buxhet dhe financa, ishin emrat e kandidatëve që kanë aplikuar për bord” – ka thënë më tej Mustafa në Kallxo Përnime.

Exit mobile version