Kryeministri i Kosovës, vetëm pak minuta pasi ka uruar besimtarët myslimanë për Fitër Bajram, përmes rrjetit social Facebook, ka lëshuar edhe një tjetër shënim, kësaj radhe në mbrojtje të deputetes Alma Lama.
Lama, që vjen nga LDK, së fundi u propozua për ambasadore të Kosovës në Itali, për çka u tha nga mediat se ajo e merr këtë post pasi ka votuar Thaçin si president të Kosovës.
Kujtojmë se Alma Lama ishte nga deputetët më të zëshme, përderisa ishte pjesë e Vetëvendosjes, dhe e cila gati në çdo fjalim të saj para deputetëve kritikonte e akuzonte Hashim Thaçin, njeriun që e votoj më vonë për president të Kosovës.
Megjithatë, kryeministri Mustafa thotë se në Itali Kosova do të ketë një ambasadore të shkëlqyer, një deputete që ka njohuri të thella të ekonomisë dhe kulturës italiane, të Vatikanit e të Maltës.
Ky është shënimi i plotë i Mustafës, i cili përcillet nga komente aspak të linjës së kryeministrit.
“Në Itali do të kemi një ambasadore të shkëlqyeshme. Një intelektuale, deputete që ka njohuri të thella për vendin e saj, njohëse të thellë të ekonomisë dhe kulturës italiane, të Vatikanit dhe Maltës. Asgjë më shumë, veç se do të vazhdojmë të mburremi me ambasadoren e ardhshme, Alma Lama!”