Telegrafi

Mustafa: Lojërat e fatit do ta bëjnë Kosovën lavatriqe të parave të pista

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka kritikuar ashpër punën e Qeverisë së Kosovës gjatë këtij viti.

Mustafa ka thënë se viti 2018 po përfundon me një qeverisje që dështoi në fushat themelore, por me një premtim të madh për kumarin dhe kumarxhinjtë.

Sipas tij, Qeveria me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni, nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informale.

“Vitin që vjen pritet se në shtëpi do të vijnë burrat me xhepa bosh, pa para me të cilat e provojnë fatin e tyre dhe fëmijët e përlotur të cilët, në vend të ushqimit, afër shkollave të tyre luajnë lojëra të fatit. Ky është premtim i madh i Qeverisë së madhe me ministra dhe zëvendësministra me aktakuza. Në vitin 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme të kësaj qeverie. Por, ne do të ngadhënjejmë”, ka thënë Mustafa./Telegrafi