Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dalë me qëndrime kundër Ligjit dhe Platformës për dialogun me Serbinë, që të enjten do të nxirren për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.
Mustafa ka thënë se “Grupi për dialog është degradim i shtetësisë së Kosovës! Ky grup është kthim prapa, para vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë, pra mu atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës”.
“Ligji për dialogun është dokument i turpit dhe shantazhimit të këtij koalicioni nga një parti e vogël në Kuvend që po ua siguron mbijetesën në kapje dhe zhvatje të shteti”, ka shkruar Mustafa, në një postim në Facebook.
“Platforma e dialogut nuk ofron asgjë tjetër veç pritje të rrejshme në opinion. As Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetëror që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008”, ka thënë Mustafa, përcjell Telegrafi.
“Absurdi qëndron në faktin se Patforma e hartuar nga një grup që nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, synohet të aprovohet me shumicë të thjeshtë, kurse Marrëveshja kërkon të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend. Askush nuk guxon ta bjerë Kuvendin para aktit të kryer! As Presidenti, as Kryeministri e as askush!”
Sipas Mustafës, dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja.
“LDK do të inicojë ndryshimin e Kodit Penal, me të cilin duhet të sanksionohet vepra penale për çdo zyrtar i cili e vë në pyetje Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës. Kjo nuk bëhet me Platformë dhe Ligj që nuk e mbrojnë Kosovën por i mbrojnë ata që dialogojnë”, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/