Site icon Telegrafi

Liberalizimi i vizave, hap shumë i rëndësishëm për Kosovën

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa në një konferencë të përbashkët me shefin e BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar tha se sot është një ditë e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Ai falënderoi Komisionin Evropian dhe Samuel Zbogarin për një vendim kaq të rëndësishëm.

“Sot është një ditë e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj, sepse rekomandimi i KE për liberalizim është vendim shumë dimensional për Kosovën”, tha ai.

Mustafa tha se Kosova ka bërë një hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian dhe është hapur perspektivë e mirë për të ardhmen e Kosovës.

Ai tha se ky proces do të jetë test shumë i madh, por pozitiv për Kosovën dhe qytetarët.

“Duke respektuar çdo pikë të këtij procesi ne do të mund t’i hapim vetes rrugën për të ecur më tej”, tha ai.

Ndërkaq, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar në konferencën për media tha se lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën gjithmonë ka thënë se do të ndodhë së shpejti, dhe pikërisht për këtë tha se ndihet shumë i lumtur që erdhi kjo ditë.

“Jam shumë i lumtur që kjo ditë erdhi”, u shpreh Zbogar.

Ai po ashtu tha se i ndihet i lumtur që në këtë ditë kaq të rëndësishme ndodhet në Kosovë.

“Edhe qeveria, edhe shoqëria civile, institucionet dhe të gjithë duhet të jeni krenar për këtë projekt kaq të rëndësishëm që e arritët”, tha ai, duke shtuar se nuk ka qenë rrugë e lehtë.

Edhe ministri Bekim Çollaku tha se liberalizmi i vizave i jep fund izolimit të Kosovës.

“Uroj qytetarët për propozimin e sotëm të KE për rekomandimin për liberalizmin e vizave. Me këtë vendim KE ka vulosur faktin se përpjekjet e Kosovës për më shumë se katër vite. Kjo i jep fund izolimit të Kosovës”, tha Çollaku, transmeton Telegrafi.

Ai ka shtuar më pas se vendimi i sotëm nuk është dhuratë nga Komisioni i Evropës por kjo vie si rezultat i punës së Kosovës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version