Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik dhe politik që kurorëzoi pavarësinë e Kosovës, është sublimim i përkushtimit dhe vizionit të popullit të Kosovës për një shtet demokratik, në përputhje me vlerat evropiane, të zhvilluar ekonomikisht dhe të integruar në strukturat euroatlantike.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e tetë të ratifikimit të Kushtetutës së Kosovës.
Më tej, përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës është model pozitiv që ka në qendër qytetarin, duke mundësuar funksionim të një shteti demokratik, me perspektivë për qytetarët dhe me marrëdhënie demokratike ndërmjet të gjitha komuniteteve.
“Qeveria e Kosovës po punon me përkushtim maksimal për të realizuar synimet e deklaruara me rastin e shpalljes së Kushtetutës së Kosovës, për zhvillim të gjithanshëm të vendit, për integrim në strukturat euroatlantike si dhe për fuqizimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike”, ka potencuar kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa.