Telegrafi

Mustafa: Kompensimi i dëmeve të luftës do të diskutohet në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se çështja e kompensimit të dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia do të diskutohet në bisedimet e Brukselit.

Mustafa tha se në bisedimet e Vjenës janë bërë vlerësime në mënyrë të detajuar në lidhje me plaçkitjen e pensioneve dhe kursimeve bankare. Por, sipas tij nuk ka të dhëna të sakta në lidhje me dëmet e tjera të luftës.

Ai tha se në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, nga pala kosovare është paralajmëruar edhe çështja e kompensimit të dëmeve të luftës.

“Kjo është prej temave që e ka peshën më të madhe, do të kërkojmë kompensime dhe të bëhet në suaza konventave ndërkombëtare”, tha Mustafa, duke u përgjigjur në pyetjet parlamentare të deputetëve.