Site icon Telegrafi

Mustafa: Koalicioni LDK-AKR-Alternativa, ajka e mendjes intelektuale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë të martën se koalicioni për të ardhmen, i kryesuar nga LDK ka mbledhur ajkën e mendjes intelektuale.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se njerëzit e këtij koalicioni kanë integritet personal e familjar për t’i ofruar zhvillim Kosovës, ç’kapje përfundimtare të shtetit dhe qeverisje evropiane.

Ky është postimi i plotë i Mustafës në Facebook

“Të nderuar qytetarë,

Përmbyllëm listën për deputetë e cila do të bëhet publike nga KQZ-ja.

Koalicioni për të ardhmen, i kryesuar nga LDK ka mbledhur ajkën e mendjes intelektuale, si dhe të zotësive zhvillimore, biznesore e menagjeriale nga LDK, AKR, Alternativa, Lëvizja për Drejtësi dhe shoqëria civile.

Njerëzit tanë kanë integritet personal e familjar për ti ofruar zhvillim Kosovës, ç’kapje përfundimtare të shtetit dhe qeverisje evropiane.

Nuk ofrojnë fjalë, protagonizëm, popullizëm, premtime e afate të kota!

Gra e burra, të rinj e të reja që kanë marrë besimin e këtyre subjekteve politike, kanë respektin e plotë të qytetarëve.

Unike dhe e pandarë për interesat madhore të Kosovës, lista kryesohet nga kandidati për Kryeministër, z. Avdullah Hoti. E ka përkrahjen time të plotë, si Kryetar i LDK-së”. /Telegrafi/

Exit mobile version