Site icon Telegrafi

Mustafa kërkon pastrimin e Policisë nga krimi

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Nehat Mustafa kërkoi që Policia e Kosovës t’i nënshtrohet një procesi të pastrimit.

Nehat Mustafa, numri dy në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Facebook shkroi për domosdoshmërinë e pastrimit të policisë nga korrupsioni dhe kriminaliteti.

“Është momenti i fundit që Policia e Kosovës të fillojë një reflektim të brendshëm, sepse kjo i ndihmon para së gjithash vetë policisë. Pastrimi i policisë nga elementet kriminale dhe të korruptuara është shërbimi më i madh që mund t`u bëhet qytetarëve”, shkroi Mustafa.

Ai duke u ndërlidhur me arrestimin e 59 zyrtarëve policorë në katër drejtori në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimin për marrje ryshfeti, tha se ky aksion është dashur të vazhdojë.

“Arrestimi i 59 policive të trafikut në vetëm katër drejtori ( M. e Jugut, M.e Veriut, Prizren dhe Autostradë) , pra me një mesatare prej 15 policësh, mund të interpretohet edhe si një aksion i lënë në gjysmë dhe i cili mund të sillte edhe dhjetëra të arrestuar” , vijoi postimi i Mustafës.

Zëvendësministri deklaroi se në krim janë të përfshirë dhe shefat e policëve të arrestuar.

“Flitet se veprimet korruptive të policëve të arrestuar, për vite të tëra kanë qenë të njohura për qytetarët dhe vet kolegët e tyre… Pra , këtu kemi edhe pjesëmarrje në krim të shefave të tyre, të cilët me mosveprim kanë lejuar korrupsionin. Mosveprimi i shefave ( eprorëve) ka bërë që policët e arrestuar të vazhdonin për periudhë të gjatë zhytjen në ujërat e korrupsionit”, shkroi Mustafa.

Ai konstatoi se në polici ka pjesëtarë shumë të ndërgjegjshëm dhe profesionalë, por ka më shumë të korruptuar sesa ata që janë arrestuar.

“Policia e Kosovës në përgjithësi është shumë profesionale dhe që përbëhet nga pjesëtarë shumë të ndërgjegjshëm e shumë të moralshëm. Por, nga ajo që flitet prej qytetarëve dhe nga brenda vetë policisë, numri i të korruptuarve dhe i atyre që keqpërdorin është shumë më i madh se këta që janë arrestuar”, shkroi Mustafa.

Exit mobile version