Site icon Telegrafi

Mustafa kërkon intensifikim të përgatitjeve për mbledhjen Kosovë-Shqipëri

Qeveria e Kosovës diskutoi të premten dhe për përgatitjet që po bëhen për mbledhjen e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Kryeministri Isa Mustafa kërkoi intensifikim të përgatitjeve nga të gjitha ministritë rreth marrëveshjeve që mund të nënshkruhen në atë mbledhje.

“Në zyrën tonë kanë arritur vetëm tri marrëveshje, zyrtarisht nuk na kanë ardhur marrëveshje tjera. Të mërkurën shkon një ekip në Shqipëri dhe duhet t’i kemi të gjitha propozimet e marrëveshjeve. Iu kisha lut të mos i prolongojmë këto. Kisha kërkuar deri të hënën të kemi informatë, cilat janë ministritë që kanë për të nënshkruar marrëveshje dhe memorandume. Të intensifikohen punimet tek biblioteka në përgatitjen e bibliotekës sepse deri tani nuk është punuar aty. I kam thënë edhe ministrit Yagcilar se mjetet që i ka ministria për këto shpenzime nuk mjaftojnë, të kërkohet nga qeveria të ndajë mjete shtesë. Nuk janë mjete të mëdha sepse s’kemi me ndërruar asgjë vetëm disa rregullime të brendshme”, tha Mustafa.

Ndërsa, ministrja e dialogut, Edita Tahiri tha se në këtë mbledhje të ketë një pikë për mbështetje të qytetarëve të Luginës së Preshevës.

“Për dallim prej shqiptarëve në rajon, gjendja e qytetarëve atje kërkon mbështetje për të mos i lënë jetim. Mendoj se është koha e fundit që të bëjmë shumë për ata edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova. Madje edhe vizitat i kemi të rralla të mos flasim për mbështetje tjera”, tha ajo.

Exit mobile version