Kryetari i Lidhjes Demokartike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit se “LDK është peng i Albin Kurtit” si dhe deklaratës së kryeparlamentarit, Kadri Veseli, pasi ka thënë se LDK bën pjesë në partitë e majta, vetëm e quan veten të djathtë.
Mustafa ka thënë se partia që ai drejton është parti e qendrës së djathtë dhe që vendimet i merr vet.
Mustafa thekson se të gjithë ata që brengosën e derdhin lot krokodili për LDK-në, nga fakti se nuk po iu shërben dhe nuk do tu shërbejë interesave të tyre pushtetore dhe kolaboracioniste, mund të vazhdojnë ta kritikojnë LDK-në, ngasë sipas tij, kjo tregon se nuk kanë asgjë të përbashkët me ta.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e Kosovës: shtetformuese, institucionaliste, e qendrës së djathtë. I merr vendimet vet. Të gjithë atyre që brengosen dhe derdhin lot krokodili për LDK-së, nga fakti se LDK nuk po iu shërben dhe nuk do tu shërbejë interesave të tyre pushtetore dhe kolaboracioniste , u them se ata mund të vazhdojnë ta kritikojnë LDK-në, sepse ky është edhe një argument shtesë se nuk kemi asgjë të përbashkët me ta. LDK është e Kosovës dhe ajo vendos vet si do ti shërbej në mënyrën më të mirë Kosovës. Karvani i LDK-së ec”, ka shkruar Mustafa.
Gjithashtu, LDK përmes një njoftimi ka reaguar ndaj deklaratave të Veselit.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli paska thënë se LDK bën pjesë në partitë e majta, vetëm e quan veten të djathtë. Vetëm pas pak minutash Veseli tenton edhe të përvetësojë reformat ekonomike, të bazuara në parimet e ekonomisë së tregut të lirë, të implementuar gjatë Qeverisë Mustafa në periudhën 2014-2017” thuhet në njoftimin e LDK-së.
Gjatë ditës se sotme zëvendësi i Ramush Haradinajt në Qeveri, Dardan Gashi, e ka dhënë një shpjegim se pse Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova po refuzon të bëhet pjesë e dialogut përfundimtar me Serbinë. Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po vepron siç po merr instruksione prej Albin Kurtit.
“Me këtë mendësi që kanë disa nga eksponentët e LDK-së duhet ta rishikojnë a janë më shumë “Abinista” a “Rugovista””, ka thënë Gashi. /Telegrafi.