Kryeministri Isa Mustafa, tha se gjatë hartimit të buxhetit kanë trajtuar të gjitha kërkesat.
“Kemi arritur që të ofrojmë një buxhet i cili siguron zhvillim dhe që reflekton programin qeveritar, për zhvillim, rritje ekonomike, mirëqenie sociale dhe për të ruajtur stabilitetin financiar”, theksoi Mustafa.
Sipas tij, rritja ekonomike do të jetë më e madhe se 4.1 për qind sa ka qenë. Ai theksoi se ka ra norma e papunësisë.
Mustafa tha se duhet punuar më shumë për tërheqjen e investimeve të huaj dhe investimeve private.
“Përmes këtij buxheti, për herë të parë prej mbi 2 miliardë euro, Qeveria synon ta rris investimin në fushën kapitale në mbi 700 milionë euro ose mbi 45 për qind në vitin e ardhshëm, në krahasim me këtë që kemi pasur këtë vit. Ne vlerësojmë se këto investime do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të vendit. Rritja e investimeve kapitale, siç u tha, do të përkrahet nga huamarrja, por rritja e bruto produktit vendor ose GDP-së, është mjaft e lartë, apo dyfish më e madhe sesa borxhi publik, prandaj kjo situatë në asnjë rast nuk e rëndon ngarkesën e bruto produktit vendor me borxhin publik, sepse Kosova edhe ashtu mbetet vendi me nivelin më të ulët të borxhit, ose të pjesëmarrjes së borxhit në bruto produktin vendor”, theksoi Mustafa. /Telegrafi/