Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përkujton veprimtarin Xhemail Mustafa në 19 vjetorin e vrasjes së tij.
Ai ka thënë se, Xhemail Mustafa ishte një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes politike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Sot, kujtojmë bashkëpunëtorin e ngushtë të Presidentit Rugova, një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, publicistin, shkrimtarin dhe veprimtarin e Kosovës, Xhemail Mustafa. Xhemaili ishte i veçantë, kishte guxim, ishte vizionar dhe punëtor, luftëtar i madh për çlirimin e Kosovës.
Xhemail Mustafa, intelektuali i jashtëzakonshëm të cilin e humbi Kosova, fuqishëm luftoi ta artikuloj mesazhin për realizimin e ëndrrës për liri dhe pavarësi përmes informimit të opinionit vendor e ndërkombëtar për kauzën e Kosovës.
Veprat e Xhemail Mustafës janë gjurmë e pashlyeshme e të kaluarës dhe të tashmes për të gjithë ne”, thekson Mustafa, njofton Telegrafi.
Më tej ka thënë se, “institucionet e Kosovës duhet të punojnë për zbardhjen e vrasjes së Xhemailit dhe shumë veprimtarëve tjerë, që padrejtësisht i ndalën së luftuari për ëndrrën e tyre dhe të gjithë neve, pavarësinë e Kosovës”.