Site icon Telegrafi

Mustafa: Grantet investuese impakt të fuqishëm për zhvillim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar mbrëmë një bisedë telefonike me shefen ekzekutive të agjencisë qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), Dana J. Hyde, ku i është konfirmuar se Kosova është përzgjedhur për të përfituar përkrahje të fuqishme përmes granteve investuese nga kjo agjenci, e cila drejtohet nga sekretari amerikan i Shtetit i SHBA-ve, John Kerry.

Vendimi i marrë në takimin e Bordit të MCC-së, do t’i mundësoj Kosovës financim në shumë sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e gjithanshëm të vendit.

Grantet investuese disa vjeçare që do të përfitoj Kosova në kuadër të programit “Kompakt”, do të fokusohen në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, hapjen e vendeve të punës, fuqizimin shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit e shumë aspekte të tjera. Programi i asistencës do të përcaktohet ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në periudhën në vazhdim, pas koordinimit ndërmjet ekspertëve.

Kryeministri Isa Mustafa ka shprehur mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme që SHBA-të po japin në vazhdimësi për Kosovën, në të gjitha fushat.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi se përkrahja që do të ofrohet për Kosovën nga programi i MCC-së do të ketë impakte shumë të rëndësishme në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, qeverisjen e mirë dhe reformat në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, për luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë dikastereve të saj për të punuar në hartimin e planprogrameve për reformimin e sektorëve të ndryshëm për grantet e ofruara nga ky program.

Kryeministri Isa Mustafa, gjithashtu, tha se përzgjedhja për herë të parë e Kosovës për asistencë nga MCC-ja është rezultat i punës së deritashme dhe progresit të arritur në shumë indikatorë, përfshirë luftën kundër korrupsionit, duke shprehur përkushtimin e mëtejmë të Qeverisë për fuqizimin e indikatorëve pozitivë të zhvillimit. /Telegrafi/

Exit mobile version