Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se, pavarësisht se Qeveria nën drejtimin e tij ka punuar në kushte të jashtëzakonshme të presionit dhe të dhunës, me sulme të pandërprera, përfshirë ato fizike, ka treguar durim dhe ka arritur t’i realizojë synimet që ka para vetes.
Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” ai ka theksuar se koalicioni qeverisës është stabil dhe bashkëpunues, i orientuar qartë kah zhvillimi ekonomik, integrimet evropiane, shteti ligjor dhe miqësia me SHBA-në.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Mustafa ka theksuar se para se të ndodhë votimi në Parlamentin Evropian, Kosova do të duhej ta ketë të ratifikuar marrëveshjen me Malin e Zi për kufijtë.
Sa i përket formatit të dialogut në Bruksel, kryeministri Mustafa ka thënë se është në interes të vendit të kemi një gjithëpërfshirje në dialog edhe nga Zyra e Presidentit, Kuvendi, por edhe nga shoqëria civile. /Telegrafi/