Site icon Telegrafi

Mustafa: Frikësohem se shumë nga koalicionistët e PAN-it do t’i kenë zyret në qelitë e burgjeve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ndjehet i lumtur që në seancën e sotme të Kuvendit, asnjë deputet i LDK-së dhe Alternativës nuk e votuan Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit. Por ai ka edhe një porosi jo fortë të këndshme për koalicionin qeverisës PAN.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Në qoftë se qeverisin me logjikën si i kanë konstruktuar koalicionet, frikësohem se më shumë nga koalicionistët e PAN-it do të kenë zyret në qelitë e burgjeve të Kosovës, sesa në Parlament dhe në Qeveri”.

Ai veçmas është ndjerë i lumtur që koalicionit të PDK-së nuk i shkoi as vota e Teuta Rugovës.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Sot, asnjë votë e LDK-së dhe Alternativës nuk i shkoi Koalicionit të PDK-së. Ne dëshmuam zotimin tonë se nuk bëhemi me ata që rrënuan qeverisjen me shumicë shqiptare, për ta shndërruar Kosovën në varësi nga votat që dirigjohen nga Serbia.

Koalicioni i PDK-së nuk e mori edhe votën e shumëpritur të deputetes Rugova. Vota e saj i takon partisë së Ibrahim Rugovës. Jo atyre që punojnë me logjikë të SHIK-ut, tregtarëve, pazargjijve e tabutgjijve.

Në qoftë se qeverisin me logjikën si i kanë konstruktuar koalicionet, frikësohem se më shumë nga koalicionistët e PAN-it ta do të kenë zyret në qelitë e burgjeve të Kosovës, sesa në Parlament dhe në Qeveri. Disa nuk e kanë marrë vesh se kohët kanë ndryshuar. IM”, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/

Exit mobile version