Site icon Telegrafi

Mustafa formon Këshillin për organizimin e ceremonisë mortore për Bajram Rexhepin

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, është themeluar Këshilli i veçantë i organizimit të ceremonisë mortore, për vdekjen e ish–kryeministrit Bajram Rexhepi.

Sot në mbledhjen e ekzekutivit të vendit, është votuar që pjesë e këtij këshilli të jenë zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vlora Dumoshi,  ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli dhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, shefi i kabinetit të kryeministrit, Sokol Havolli, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe përfaqësuesi i familjes.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se është e vështirë që të përshkruhet veprimtaria e Bajram Rexhepit, sepse sipas tij, ai ka qenë një politikan i pranuar nga të gjithë, pjesëmarrës në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një atdhetar i devotshëm.

“Jemi mirënjohës Bajram Rexhepit për kontributin si para dhe pasluftës. Ndarja nga jeta është humbje e madhe për familjen, Kosovën dhe bashkëveprimtarët. Ai ka qenë në periudhën 2002 – 2004, kryeministër i vendit dhe ka ushtruar funksione të rëndësishme shtetërore”, ka shtuar Mustafa.

Ndryshe, sot në Turqi, pas një sëmundje disa mujore ka ndërruar jetë ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ai pas sulmit në tru, për rreth katër muaj ka qenë në koma. /Telegrafi/

Exit mobile version