Telegrafi

Mustafa flet për sukseset, planet, paratë dhe politikën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur një konferencë për media ku u është drejtuar qytetarëve të Kosovës për të folur rreth sukseseve të fundit të vendit, si marrja e rekomandimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni Europian dhe anëtarësimin në shtëpinë e futbollit europian – UEFA, njofton Klan Kosova.

Mustafa ka falënderuar BE-në për rekomandimin dhe është zotuar se do të plotësohen edhe kushtet e tjera të mbetura, ndërsa vet liberalizimin e ka quajtur sukses të madh të vendit.

Sukses të madh të Kosovës kryeministri e ka quajtur edhe anëtarësimin në UEFA, duke thënë se vendi e ka merituar tash e një kohë të gjatë pranimin në këtë organizatë të rëndësishme të sportit.

Mustafa ka folur edhe për vizitën e tij të fundit në Budapest të Hungarisë dhe takimin me homologun e tij Viktor Orban. Ka thënë se takimi ishte shumë i suksesshëm.

Drejtuesi i Ekzekutivit ka folur edhe për planet e ardhshme të Qeverisë së tij.

Ai ka pohuar se pritet të ndodhë transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe se këtë ia kanë pohuar edhe zyrtarë të lartë të NATO-s.

Kryeministri tha se prioritet mbetet edhe zhvillimi ekonomik dhe çështje të rëndësishme si “Trepça”. Po ashtu, edhe bashkëpunimi me minoritet në Parlamentin e Kosovës, gjë për të cilën Mustafa tha se është shumë e rëndësishme.

Kryeministri një pjesë të kohës e ka ndarë edhe për të folur për pasurinë e tij.

Ka pohuar se nuk është milioner ashtu siç disa media kohëve të fundit e kanë portretizuar dhe ka thënë se pasuria e tij është e deklaruar pranë organeve që me ligj e kërkojnë atë deklarim.

Ai ka konfirmuar edhe njëherë vizitën e Johannes Hahn, komisionerit të BE-së për fqinjësi dhe zgjerim, ndërsa ka rikujtuar se me tre qershor të këtij viti do të ketë një takim të përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.