Site icon Telegrafi

Mustafa flet për emërimin e dy ministrave: I zgjodhëm ata që na i propozoi PDK-ja

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka folur sot për vijëzimin e pikës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe për plotësimin e kabinetit qeveritar me dy ministra nga partneri i koalicionit.

Kreu i ekzukutivit të vendit ka thënë se çështja e demarkacionit nuk e rrezikon liberalizimin e vizave për kosovarët.

Sipas tij, ka ende kohë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeja.

“Mendoj se nuk po rrezikohet me këtë, është çështje e kryesisë së Kuvendit, kryesia do të vendosë në kohën që ata e vlerësojnë se duhet të vendosin lidhur me futjen në rend dite të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Por kohë ka. Ne jemi të interesuar që sa më shpejt ta bëjmë këtë, ta kryejmë. Mirëpo, është agjenda e Kuvendit për të cilën në mënyrë më meritore flet Kryesia e Kuvendit. Unë besoj se asgjë nuk po shtyhet, por do të bëhet në kohën e duhur”, tha ai.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka emëruar Hajredin Kuçin, zëvendëskryeministër dhe Enver Hoxhajn për ministër të Punëve të Jashtme. Derisa, javë më parë është folur se Partia Demokratike e Kosovës i ka propozuar Qeverisë edhe Gani Kocin për ministër të Drejtësisë. Çështje kjo e konfirmuar nga vetë Gani Koci.

Numri një i Qeverisë tha se javën e kaluar kanë emëruar ata emra të cilët i kanë marrë si propozime nga partneri i koalicionit, derisa propozime tjera, tha se nuk ka pasur.

“Ne kemi emëruar ministrat të cilët i kemi marrë si propozime nga partneri jonë më i madh i koalicionit. Nuk kemi pas propozime tjera. Andaj të gjitha tjerat mendoj se janë jo korrekte, edhe ndaj personave për të cilat ju referoheni, sepse ne kemi pasur këto dy propozime. Ashtu kemi vendosë, nëse më vonë do të kemi propozime tjera, prapë me partnerin e koalicionit do të merremi vesh të bëjmë ndryshime”, tha ai.

Kryeministri tha se janë marrë vesh që të punojnë në rikonstruimin e Qeverisë, në mënyrë që të shohin se a është i nevojshëm ndonjë ndryshim, që Qeveria të jetë më efikase.

“Do të shohim brenda një muaji, dy muaj, do t’i analizojmë edhe performancën e çdo ministri e ministrie, dhe mbi bazën e performancës do të veprojmë, jo vetëm mbi bazën e asaj se duhet dikë ta heqim ose ta vejmë sepse ajo nuk ofron mundësi që ne të përmirësohemi. Nëse ne kemi garancione se me ndryshime mund të përmirësohemi edhe më tutje qeverisjen, atëherë jeni të sigurt që do ta bëjmë”, tha ai.

Këto përgjigje Mustafa ua dha gazetarëve pasi vizitoi Bifurkacionin e Lumit Nerodime në Ferizaj./Telegrafi/

Exit mobile version