Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden dhe familja e tij, zyrtarë të lartë nga institucionet e Kosovës kanë marrë pjesë në ceremoninë e emërtimit të magjistrales në Sojevë të Ferizajt që do të mbajë emrin ‘Beau Biden’, djalit të ndjerë të zëvendëspresidentit Biden.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, na përurimin e rrugës “Beau Biden”, ka vlerësuar lartë figurën dhe kontributin e djalit të zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden.
Ai ka theksuar se Beau Biden është njëri nga amerikanët e parë që ka shërbyer me zell dhe dashuri për Kosovën.
“Baeu si jurist i ri, ka ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve, duke ndihmuar prokurorët dhe gjykatësit vendorë që ta fitojnë eksperiencën e tyre në zhvillimin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa vlerësoi lartë figurën e Beau Biden.
Ai tha se familja Biden nuk ka nevojë për ftesë për ta vizituar Kosovën, pasi Kosova është edhe shtëpia e tyre.
“Ju jeni miqtë e Kosovës, ju nuk keni nevojë për ftesë për ta vizituar Kosovën sepse ju tash vini në shtëpinë tuaj”, tha Mustafa.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka theksuar se Beau Biden, gjatë kohës që ka shërbyer në Kosovë ka lënë vlera të njeriut të madh.
“Çdo qytetar, çdo familje do të përkujtojë, do të nderojë përkujtimin për Beau Biden”, tha Haziri, duke shtuar se ai do të kujtohet po ashtu për solidaritet, për përkushtimin e tij për vendosjen e rendit, respektimi e të drejtave të pakicave etj.
Haziri tha se Beau Biden do të kujtohet edhe për humanizëm.
Ndërsa zëvendëspresidenti Joe Biden, gjatë ceremonisë së përurimit të rrugës e cila mban emrin e djalit të tij të ndjerë, ka thënë se është një çast i hidhur dhe i ëmbël, dhe se ata si familje sipas tij, janë shumë mirënjohës dhe të përulur për respektin që po u bëhet atyre si familje.
Ai ka thënë se e ka vizituar disa herë Kosovën, veçanërisht gjatë kohës kur ka qenë senator.
Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, ka theksuar se gjithmonë ka qenë krenar me të birin e tij, por kurrë më shumë se sa kur ka ardhur në Kosovë dhe e ka parë angazhimin e tij.
“Çdo Biden do të vijë për ta parë këtë monument. Njëjtë si Beau edhe unë besoj në Kosovën. Besoj që do ta ndërtoni një Kosovë të begatshme dhe demokratike”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Beau Biden është djali i ndjerë i zëvendëspresidentit të SHBA-ve, Joe Biden i cili kishte ndërruar jetë me 6 janar të vitit 2015 nga sëmundja e kancerit.
Ai kishte punuar në Kosovë në vitin 1998-99 pas luftës, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendas për organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSCE).
Ai ishte edhe prokuror i Përgjithshëm në Delaware, ndërsa për një kohë kishte shërbyer edhe me Forcat Amerikane në Irak. /Telegrafi/