Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Kosova është në një situatë tejet të rëndë për shkak që siç tha ai, garës politike që po e bëjnë liderët.
Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së theksoi se liderët institucional po mundohen t’i tregojnë ambiciet e tyre para opinionit qytetar dhe ndërkombëtar se cili është më i fortë.
Sipas tij, për gjendjen në vend fajtor është Presidenti e po ashtu edhe kryeministri.
“Fjalën e kam edhe për Presidentin e vendit edhe për kryeministrin. Njëri sillet sikurse Kosova është pronë e tij dhe shprehet se do ta ndryshojë Kushtetutën, do ta bashkojë Luginën e Preshevës, thua se Kosova është harmonikë e Presidentit të Kosovës”.
Siç ka vlerësuar Mustafa, me këtë bën shkelje kushtetuese, sepse dihet kush me Kushtetutë mund të bëjë këto veprime.
Në anën tjetër, shton Mustafa, kemi sjelljen e kryeministrit i cili vendos se çka do të ndodhë me një vendim të Qeverisë sikurse ai për tarifën që të mos ndodhë ndryshimi i territoreve.
“Por krahas kësaj, ai nuk e bën punën e tij kushtetuese, sepse është detyrim i tij kushtetues që ai ta drejtojë dialogun, pasi që këtë e ka bërë gjithmonë Qeveria. Nëse dikush dëshiron të mos ndodh ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve, ai duhet ta udhëheqë këtë punë, sepse i takon atij dhe Qeverisë. Ne i shohim të dy përgjegjës, po ashtu koalicionin qeverisës për këto pasoja që po i bartë Kosova”, ka thënë ai, shkruan Telegrafi.
Kreu i LDK-së përmendi edhe problemet e shumta si korrupsionin, punësimet familjare.
Ai po ashtu theksoi se asnjëherë Kosova nuk ka qenë në rrezikshmëri më të madhe që të humb partneritetin me ShBA-në.
“Kemi problem me korrupsionin, punësime familjare në kompani publike deri tek rasti që një anëtar i bordit i punëson nga familja disa anëtarë. Kemi probleme me kontrata të dyfishta, ka probleme të mëdha në arsim e shëndetësi, dhe këto kanë mbetur çështje nën hijen e taksës. Kemi probleme shumë të mëdha me partneritetin me BE-në dhe ShBA-në. Kurrë Kosova nuk e ka rrezikuar më shumë partneritetin me këto vende dhe kjo është papërgjegjësi e Qeverisë. Mjafton të themi që këta po sillen në mënyrë të papërgjegjshme, por jemi ulur këtu të shohim kah po shkon ky vend. Si LDK e konsiderojmë që e vetmja rrugë të dalim nga ky qorrsokak është të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi ai.
Ndër të tjera Mustafa po ashtu tha se LDK nuk do të hyjë në këtë qeverisje.
Ai theksoi se PDK e AAK duhet ta zgjidhin vetëm këtë situatë pa ndihmën e LDK-së.
“Askush të mos mendon në Kosovë që LDK do të hyjë në qeverisje në këtë mandat me PDK-në për ta zëvendësuar AAK-në, apo për ta shpëtuar këtë koalicion. Atë s’do ta bëjmë në asnjë rast. Konsiderojmë se duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj miqve tanë për sjelljet tona dhe të kujdesshëm në dialog. Dikush duhet t’i garantoj qytetarët se në procesin e dialogut nuk do të ketë shkëmbim territoresh, nuk do të vihet asnjëherë në tryezë deklarata e Qeverisë së 17 shkurtit 2008. Nuk mbrohet as me tarifë, as me tendenca që të shtyhen presidenti dhe kryeministri se kë po e thërret BE-ja, por me vendime të forta të Kuvendit, sepse ne jemi shtet parlamentar, demokratik. Ne e përkrahim procesin e dialogut, por nuk përkrahim dialogun që vë në tryezë të arriturat tona në themelimin e shtetit”, tha ai.
I pyetur për vizitën që i bëri Presidenti Thaçi në shtëpinë e tij, Mustafa tha se nuk kishte kërkuar diçka të veçantë.
“Zoti Thaçi nuk ka kërkuar diçka të veçantë. Ai kur ka thirr të tregoj që do të vijë të më vizitojë, ka thënë se e sheh të domosdoshme të më njoftojë për bisedën që ka pasur me përfaqësues të lartë amerikanë dhe se është i preokupuar me atë që i kanë thënë. Ai ishte i shqetësuar me atë që kanë thënë përfaqësuesit e lartë se rrezikohet prania ushtarake e SHBA-së në Kosovë që do të ishte problem i madh jo vetëm për koalicionin por për Kosovën. Asnjë nuk guxojmë ta vëmë në këtë pozitë çështjen e SHBA-së me vendimet e institucioneve e Kosovës”, theksoi ai. /Telegrafi/