Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ngushëlluar popullin amerikan për tragjedinë e Orlandos, ku nga një person i armatosur u vranë 50 persona, ndërsa 53 të tjerë mbetën të lënduar.
“Populli i Kosovës ndanë dhimbjen me viktimat e Orlandos. Ngushëllime familjarëve, popullit amerikan dhe organeve shtetëore. Së bashku do ta mposhtim terrorin”, thuhet në telegramin e Mustafës. “Duke shprehur solidaritetin e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Mustafa thekson po ashtu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në angazhimet e përbashkëta të botës demokratike, të prira nga SHBA-të, në luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit”.
Pos Mustafës, sulmet në Orlando të Floridës i ka dënuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Dënoj fuqishëm këtë akt monstruoz të dhunës në Orlando të Floridës. Zemrat dhe mendjet tona janë më viktimat dhe familjet amerikane. Kosova qëndron me SHBA-të dhe popullin e saj”, ka thënë Thaçi.