Telegrafi

Mustafa: Do t’i eliminojmë barrierat ligjore për bizneset

Krijimi i ambientit për të bërë biznes, eliminimi i barrierave burokratike, krijimi i tregut të barabartë, ndryshimi i pakove ligjore me qëllim të zhvillimit ekonomik, ishte arsyeja që për herë të parë kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, takon përfaqësuesit e bizneseve me temën “Dialogu për Politika Ekonomike”.

Megjithatë, pas përfundimit të fjalimit të kryeministrit, mediat nuk kanë pasur qasje dhe mundësi për t’i dëgjuar vërejtjet dhe sugjerimet e dhjetëra bizneseve pjesëmarrëse në këtë takim.

“Të diskutojmë për pengesat e ambientit biznesor, qoftë ato që e vështirësojnë themelimin e bizneseve të reja ose pengesat me të cilat ballafaqohen bizneset në përditshmërinë e tyre dhe e dyta që të propozojnë ndryshime të nevojshme të rregullativës ligjore për ta lehtësuar të bërit e biznisit, për të krijuar një konkurrencë të mirëfilltë pa marrë parasysh madhësinë e bizneseve dhe fuqinë e tyre ekonomike“, tha Mustafa.

Ai i ka njoftuar bizneset për aprovimin e programit Qeverisës dhe i ka ftuar ata për bashkëpunim në mënyrë që të realizohet programi katër vjeçar i Qeverisës. “Kemi të bëjmë me barrierat ligjore dhe me zvogëlimin e burokracisë, mendojmë se duhet t’i lehtësojmë bizneset me qëllim që të ulin edhe korrupsion por edhe të krijojmë kushte për tërheqje të investimeve të huaj”, ka thënë Mustafa.

Ai po ashtu ka thënë se do të ketë disa lirime doganore që ka të bëjnë me importin e mallrave përkatësisht të makinerive kapitale të cilat do të shërbejnë për investime kapitale edhe për zhvillim ekonomik.
Mustafa po ashtu ka thënë se programi qeverisës është i harmonizuar me PDK-në dhe partnerët të tjerë të koalicionit. Ai ka njoftuar po ashtu se do të përkrahen bizneset e grave. /Telegrafi/