Eksperti i çështjeve sociale, Artan Mustafa, duke e vlerësuar gjendjen e rëndë socio – ekonomike në vend, ka thënë se dështimi i Kosovës nuk mund t’i atribuohet vetëm institucioneve vendore, por edhe bashkësisë ndërkombëtare.
Ai në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se dështimi i Kosovës është i përbashkët.
“Fajtori kryesor janë institucionet e vendit, por pjesë të fajit ka edhe UNMIK-u, Bashkimi Evropian (BE), Banka Botërore (BB)”, ka shtuar Mustafa.
Ai ka folur edhe për ikjen e trurit nga Kosova drejt vendeve perëndimore, ku ka thënë se “shteti ynë duhet të hyjë në gatë me shtetet tjera që me i mbajt njerëzit në vend”.
“Pa forcim të demokracisë dhe hapje të tregut, shumë njerëz do të vazhdojnë ta lënë Kosovën. Pastaj janë pagat e vogla, trajtimi joadekuat, mosrespektimi i kontributit të punës, janë elemente që po ndikojnë që të ikin njerëzit nga vendi”, ka theksuar Mustafa. /Telegrafi/