Site icon Telegrafi

Mustafa: Demaçi ishte një disident i pathyeshëm që i duhej botës shqiptare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar lart figurën e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në ditën e varrimit të tij.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar fjalët e Ibrahim Rugovës për Adem Demaçin, i cili sipas tij thoshte: “Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh”.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Lamtumirë Baca Adem!

Kontributi dhe rezistenca e jashtëzakonshme e Adem Demaçit për liri gjatë okupimit serb, do të përkujtohet e do të nderohet brez pas brezi nga qytetarët e Kosovës, por edhe më gjerë.

Baca Adem ishte një disident i pathyeshëm dhe një jokonformist që i duhej botës shqiptare.

Në këto çaste më bien ndër mend fjalët e Presidentit Rugova i cili thoshte se: “Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh”.

Andaj, Baca Adem, u prehsh i qetë në dheun e Kosovës së lirë, për të cilën sakrifikove aq shumë! IM“, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe, veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi u varros sot në Prishtinë, në “Varrezat e Dëshmorëve” në Velani, pasi ndërroi jetë të enjten më 26 korrik.

Në varrimin e Demaçit nuk mori pjesë askush nga zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version