Telegrafi

Mustafa: Bizneset e vogla dhe të mesme, perspektiva zhvillimore e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka vizituar sot kompaninë “Eurofruti”, në Suteskë të Mramorit, e cila merret me grumbullimin e frutave.

Sipas një njoftimi, pas vizitës së ambienteve dhe pajisjeve të punës, kryeministri Isa Mustafa theksoi se bizneset e vogla dhe të mesme janë perspektiva zhvillimore e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë.

“Ne po kontaktojmë me biznese në mënyrë që të shohim se ku qëndrojmë me organizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, çfarë duhet të ndërmarrim si Qeveri, dhe ajo që po konstatojmë është se perspektiva jonë zhvillimore është tek këto biznese, tek bizneset e vogla dhe të mesme, dhe shfrytëzimin e plotë të resurseve natyrore dhe të resurseve njerëzore të cilat i kemi”, ka thënë kryeministri.

Gjithashtu thuhet më tej se kryeministri Mustafa vlerësoi këto biznese, meqë të bërit biznes është shkathtësi dhe këta njerëz rrezikojnë për të hapur vende të reja të punës dhe ndihmojnë edhe të tjerët.

“Ne u informuam se janë së paku 3 mijë vetë që janë të lidhur me mbledhjen e frutave dhe që sigurojnë të ardhura nga mbledhja e frutave, dhe të gjitha këto eksportohen jashtë. Kjo meriton një përkrahje të plotë të Qeverisë, edhe në ndërtimin e politikave tona, por edhe në lehtësimin e të bërit biznes”, ka thënë tutje kryeministri Mustafa.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Mustafa u zotua në heqjen e të gjitha barrierave burokratike që pengojnë bizneset, duke nisur nga ankesa që dëgjoi sot, për certifikatat fitosanitare. /Telegrafi/