Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se gjatë këtyre muajve ka pas të arritura të mëdha, por mbesin edhe shumë sfida si zhvillimi ekonomik, papunësia e krimi i organizuar.
Mustafa tha se kjo konventë po mbahet në kohë kur Kosova po korrë suksese historike në zhvillimin ekonomik dhe social.
“Jam krenar që kisha përkrahjen më të madhe të LDK-së dhe qytetarëve që të drejtoj Qeverinë e koalicionit, kur Kosova po gëzon kthesa të mëdha në rrugën e bashkimit evropian”, ka thënë ai. “Në Këshillin e Përgjithshme të LDK-së, është vendosur që LDK të marrë përgjegjësinë për ta drejtuar Qeverinë. Në LDK ka pasur zëra që e kanë kundërshtuar koalicionin, disa me AAK-në, e disa me PDK-në. Kundërshtimet e koalicionit janë duke shtrembëruar rugovizmin se çfarë do të bënte presidenti Rugova po të ishte gjallë. Është hera e parë që LDK e ka marrë përgjegjësinë për të qeverisur vendin dhe për këtë nuk është shumë e lehtë”.
Mustafa është ndalur edhe te sistemi arsimor, duke thënë se cilësia e arsimit është sfida prioritare që ia kanë vënë vetës. Ndërsa, ka shtuar se Asociacioni i Komunave Serbe do të formohet , siç tha ai, në përputhje me Kushtetutën. /KosovaPress/