Kryeministri i Kosovës në detyrë, Isa Mustafa, në ditën kur ka marrë në dorë një studim fizibiliteti për kombinatin ‘Trepça’, ka porositur votuesit që t’i besojnë koalicionit të grumbulluar rreth LDK-së për ringjalljen e këtij gjiganti të dikurshëm industrial të vendit.
Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Qeveria aktuale, me punë e përkushtim maksimal, e shpëtoi nga falimentimi dhe e vuri Trepçën në binarët e zhvillimit”.
Postimi i plotë i Mustafës:
“Të dashur miq,
Pranova sot studimin e fizibilitetit me orientime strategjike për zhvillimin e Trepçës.
Ky studimi ka nxjerr në pah rezultate shumë të rëndësishme pozitive dhe ofron perspektivë të jashtëzakonshme për zhvillimin e këtij gjigandi ekonomik të Kosovës.
Qeveria aktuale, me punë e përkushtim maksimal, e shpëtoi nga falimentimi dhe e vuri Trepçën në binarët e zhvillimit.
Koalicioni LDK-AKR do të bëjë që Trepça të jetë sërish krenaria dhe motori i zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Prandaj, në këto zgjedhje nuk guxojmë që asetet e Kosovës t’i lemë në dorë të amatorëve dhe keqpërdoruesve të dëshmuar. IM” (sic), ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/