Kryeministri Isa Mustafa i është përgjigjur Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, rreth çështjes së Demarkacionit dhe publikimit të Raportit për matjen e territorit të Kosovës.
Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se” si kryeministër dje (më 6 mars) e kam nënshkruar Vendimin për aprovimin e Raportit dhe ditën e djeshme është dashur që ky dokument të pasqyrohet në Web-faqen e Qeverisë, të fillojnë përgatitjet që t’i përcillet Kuvendit dhe Presidentit të vendit”, transmeton Telegrafi.
Ai tha se pret që “AAK, pasi ta lexoj këtë Raport, do të bindet (edhe pse e di) se Kosova nuk e humb asnjë metër territor”.
Lexojeni postimin e plotë të Mustafës:
“Më vjen shumë mirë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po interesohet për Raportin e Komisionit të Ekspertëve për Matjen e Territorit të Kosovës. Siç e dini, këtë raport e ka aprovuar Qeveria të premten e kaluar, më dt. 3 mars 2017. Si kryeministër dje (më 6 mars) e kam nënshkruar Vendimin për aprovimin e Raportit dhe ditën e djeshme është dashur që ky dokument të pasqyrohet në Web-faqen e Qeverisë, të fillojnë përgatitjet që t’i përcillet Kuvendit dhe Presidentit të vendit.
Pres që AAK, pasi ta lexoj këtë Raport, do të bindet (edhe pse e di) se Kosova nuk e humb asnjë metër territor, prandaj edhe do ta votojë Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi. Të njëjtën gjë mendoj se do ta bëjë edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën. Votohet për kufijtë ndërkombëtar të shtetit tonë” (sic.), ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/
Raporti i Komisionit të Ekspertëve për Matjen e Territorit të Kosovës mund ta lexoni në këtë LINK