Telegrafi

​Musliu: Vuçiq ka frikë nga çdo lëvizje e avokatit Çedomir Stojkoviq

Agim Musliu, drejtori i Institutit Octopus, ka folur për taktikat e fundit të Qeverisë serbe pas situatës me avokatin Çedomir Stojkoviq, i cili u përball me ndalim dhe pyetje në aeroportin “Nikola Tesla” pasi kishte bërë homazhe në Prekaz.

Stojkoviq, avokati i Nikola Sanduloviq, i cili ishte sulmuar brutalisht nga BIA, Agjencia e Inteligjencës së Serbisë, ishte vizitues i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” dhe vendosi një kurorë lulesh në varrin e Blerina Jasharit, të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë qëndrimit, ai gjithashtu shkroi një homazh në librin e kujtimeve për Blerina Jasharin.

Musliu e përshkruan këtë akt si një shenjë të frikës nga autoritetet në Beograd për çdo person që synon paqen në Ballkan, si në rastin e Stojkoviq, i cili është zë për drejtësi në rajon.

Stojkoviq tregon për ndalimin e tij në kufi, i cili, sipas tij, u ndikua nga veprimi i tij i vendosjes së luleve në varrin e një fëmije të pafajshëm shqiptar dhe deklaratat që kishin ardhur nga Aleksandar Vuçiq, të cilat u përshkruan si fyese dhe të turpshme për Serbinë.

Në një deklaratë, avokati serb ka bërë një krahasim të thellë historik, duke sugjeruar se realiteti politik i sotëm i Serbisë, nën udhëheqjen e Vuçiq, mund të krahasohet me një realitet alternativ, imagjinar, ku një figurë e njohur për propagandën naziste do të kishte qenë në krye të Gjermanisë pasluftarë, duke e lënë atë në një gjendje të ngjashme me Serbinë e sotme./Telegrafi/