Hisen Musliu, ish-inspektori shqiptar që u akuzua se gjoja ka publikuar “dosjet” e paraqitura para disa viteve për kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, është liruar nga kjo akuzë. Lajmin e ka bë të ditur vetë Musliu. Ai ka thënë se procesi ka qenë i montuar.
“Meqë nga mediumet në gjuhën shqipe jam disi i bojkotuar, për arsye të frikës dhe kontrollit që ushtrohet ndaj tyre, doja të ju informoja me sa vijon: E keni të njohur se ndaj meje u ngrit një proces gjyqësor, politikisht i motivuar dhe montuar në nëntor të vitit 2010, për hesape politike ndër partiake, nga kupola politike. Ju informoj se Gjykata Themelore Shkupi I në Shkup, me vendim të formës së prerë shpalli pafajësinë time, rreth çështjes së njohur si ‘Dosjet’.”, ka thënë Musliu për gazetën Lajm.
Në mesin e “dosjeve” për falsifikimin e të cilave akuzohej Musliu ishte edhe një “dosje” e shërbimit sekret kroat, ku shkruante se i sugjerohet presidentit të Kroacisë Stipe Mesiq të mos pranojë kërkesën për takim me kryetarin e BDI-së, për shkak të aktiviteteve të tij të dyshimta në të kaluarën me policinë sekrete jugosllave. /Telegrafi/