Site icon Telegrafi

Musliu-Shoshi: Disa nga bankat nuk janë duke respektuar vendimin e Qeverisë dhe BQK-së

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu -Shoshi, ka thënë se disa nga bankat nuk janë duke respektuar vendimin e Qeverisë dhe të Bankës Qendrore të Kosovës, që të shtyjnë pagesat e kësteve të kredisë.

Deputetja ka pohuar se për këtë ka pranuar ankesa të shumta nga qytetarë, transmeton Telegrafi.

“Jam duke marrë ankesa nga shumë qytetarë dhe biznese të cilët kanë kërkuar nga bankat shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për arsye të ngarkesave të tyre si rezultat i pandemisë COVID-19, sipas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe Shoqatës së Bankave.

Disa banka janë duke aplikuar pagesa të dyfishta te interesave për këstet e shtyera në kundërshtim me vendimin e BQK-së dhe njoftimet nga Ministria e Financave”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo ka kërkuar nga BQK dhe Qeveria në detyrë t’i ndërmarrin masat e nevojshme.

“I kërkoj Bankës Qendrore të Kosovës dhe Qeverisë në detyrë, që t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që bankat të respektojnë vendimin e juaj, të mos aplikojnë interesa ndëshkuese për këtë periudhë, të mos aplikojnë masa të përkeqësimit të klafisikimit kreditor, e po ashtu të mos ketë provizione shtesë”./Telegrafi/

 

Exit mobile version