Mbrojtësi i Shkëndijës, Visar Musliu, beson se skuadra e tij ka nevojë për më shumë përvojë të nivelit të lartë evropian dhe se do të përpiqet të bëjë një paraqitje të mirë në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ekipi nga Tetova humbi me rezultat 3-0 nga Red Bull Salzburgu në ndeshjen e parë si mysafir, ndërsa sonte (e martë) zhvillon ndeshjen kthyese në stadiumin Filipi II në Shkup.
“Neve në ndeshjen e parë na mungoi pak eksperienca nga ndeshje të nivelit të këtillë evropian, duke bërë gabime që na kushtuan me pranim të golave”.
“Kemi analizuar mirë ndeshjen e parë dhe besoj se jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e kthimit”.
“Do të kërkojmë të tregojmë në radhë të parë karakter kampioni dhe pastaj do të shohim se cili do të jetë rezultati final”, ka deklaruar Musliu.
Duhet theksuar se Shkëndija tashmë e ka shkruar historinë duke arritur deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Nëse e përmbys rezultatin ndaj Salzburgut, do të luajë në ‘play-off’ për fazën grupore të garës më të madhe evropiane (kundër Crvena Zvezdas ose Spartak Trnavas), ndërsa në rast të eliminimit do të luajë në Europa League (kundër Cork ose Rosenborg). /Telegrafi/