Telegrafi

Musliu pranoi se është përfshirë në dosje

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) thuhet se, pas bisedës informative me të arrestuarin Hisen Musliu, ky i fundit ka pranuar se materialet ende pa u publikuar dhe ato i janë dhënë nga kryesia më e ngushtë e PDSH-së.

Pas marrjes në pyetje, mbrëmë, një gjykatë në Shkup, Musliut i ka caktuar masën e paraburgimi prej tetë ditësh.

"Motivi për involvimin e tij, siç ka bërë të ditur në bisedën informative, ka qenë që kjo parti ta kundërshpërblejë ate me pozita të caktuara pas kthimit të saj eventual në pushtet”, ka thënë zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Sipas tij, Musliu ka deklaruar se me personin, të cilit i ka bërë pagesat nëpërmjet transfertave bankare, është njohur që në vitin 1979, dhe pas disa viteve i kanë përtërirë kontaktet. Sipas dyshimeve të shprehura, nga periudha maj e deri në tetor në katër raste janë paguar 4.500 euro.

Policia me arrestimin e Musliut në shtëpinë e tij ka konfiskuar dy kompjuterë personal, dy kartela memorike USB, disa telefona mobil dhe dy fletëpagesa me të cilat janë paguar sasi parash nëpërmjet Ëestern Union në adresë të Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i lartë i UDB-së, që kishte dëshmuar në disa raste dokumente që kishin të bëjnë me kreun e BDI-së.

MPB-ja bëri të ditur se pas analizave të bëra dhe bisedës informative në stacionin policor në Shkup, në kompjuterët e tij janë gjetur katër dosje të fabrikuara, por edhe materiale që gjoja mund të kenë origjinë nga shërbimi sekret gjerman BND, në të cilat sigurisht do të duhej të bëheshin intervenime.

“Gjithashtu janë gjetur edhe materiale të tjera të shkruara në gjermanisht, por edhe në gjuhën serbe, në font tjetër dhe me gabime drejtshkrimore. Gjithashtu është gjetur edhe një fotografi në të cilën ishte tentuar që të bëhej një fotomontazh me liderin e BDI-së dhe të ashtuquajturin Bozhidar Spasiq”, ka thënë Kotevski.

Lidhur me këtë rast, MPB kumtoi se po shqyrton mundësitë që në bazë të ligjeve të Kodit penal dhe ligjeve të tjera për falsifikim dhe lustrim të ngrejë kallëzime penale kundër Hisen Musliut. /INA/ /Telegrafi/